Kriza e librit…?!
NGA: Petrit F. Zeneli
Më saktë, kriza e lexuesve apo kriza e krijuesve?! Kjo është çështja!
Dihet që, “libri ndriçon mendjen dhe mendja ndryshon botën!” Por sa ka funksionuar deri tani në Shqipëri, kjo aksiomë?! Fatkeqësisht pak! Ky është problemi ynë si shoqëri, civilizim i pamjaftueshëm, pafuqi mendësie progresi intensiv, shtresëzim ekstrem kulturor, mani diplomimi masiv (sidomos jashtë) por ende administratë dhe politikë empirike, jo racionale e largpamëse. Përgjithësisht shoqëri kritizere egoiste që arsyen e çdo difekti e kërkon tek tjetri, jo tek vetja, jo e prirur për sakrificë, dashuri e tolerancë, pasojë kjo, veç të tjerash, edhe e mendjeve të pailuminuara sa duhet. Kjo s’do të thotë se mungojnë përpjekjet e shumë grupimeve, institucioneve dhe intelektualëve shqiptarë për përhapjen apo dhurimin e librit në shoqërinë tonë. Sipas filozofit Bergson, intelektuali që jep libra është fitues, shpërndan influencë, zgjeron personalitetin e vet. Nën këtë moto, personalisht mbylla “maratonën” e dytë të dhurimit në të gjitha qytetet e Shqipërisë, të mbi 3200 librave (të TIK-ës dhe Fond. ALSAR). Këtë herë radhën e patën Kruja, Laçi, Lezha, Shkodra, Burreli, Klosi, Bulqiza, Peshkopia, Kukësi, Rrësheni, Cerriku, Gramshi, Kuçova, Berati, Poliçani e Çorrovoda (s’po e përmend Tiranën, me problematikën e mprehtë të Bibliotekës Kombëtare).
Ishte përsëri një eksperiencë e jashtëzakonshme njohjeje kjo dhe shijim i bukurive të atdheut, cep më cep. Ky emocion dhe përjetim i pashlyeshëm më kishte ndodhur edhe 47 vjet më parë, kur para se të jepnim provim Gjeografinë Fizike dhe Ekonomike të Shqipërisë, një muaj në dy vjet rresht, më një autobus në dispozicion, e shkelnim Shqipërinë nga jugu në veri. Me një hartë fizike përpara dhe pedagogun mbi kokë “preknim” çdo mal, fushë, fshat, qytet, lumë, përrua, liqen, fabrikë, minierë, hidrocentral, zonë arkeologike e turistike, muze etj, dhe në fund paraqiteshim për provim.
Të njëjtin itenerar ndoqa dhe këtë fundviti 2024, por tashmë më i pjekur, në një Shqipëri të transformuar krejt, me qytete e fshatra shumë më të bukura, por të gjysmuara në popullsi, pa industri e bujqësi, si dhe gjelbërim e pyje që po ripërtërihen me shpejtësi nga shpëtimi prej sopatës së njerëzve pa shpirt. Sa e madhe më është dukur Shqipëria këtë herë! Hapësira pa fund, pa fund…, zona të tëra bosh, qytete e rrugë të pastra por të përgjumura, fshatra pa tringëllimë zilesh të kopeve, pa lehje qensh, kakarisje pulash apo tym oxhaqesh. Trishtim e ngazëllim njëherësh!
Sot ta jepja provim sërish gjeografinë, thosha me vete, sepse asgjë s’i kish shpëtuar syrit tim të mprehtë, adhurues e kritik, e me siguri sërish do merrja dhjetë, pasi misioni ishte njëherësh, human, ndriçues dhe hulumtues. Natyrisht, turneu 10-ditor kulmoi me skanimin e punës me librin në të gjitha bibliotekat e vendit, institucionet, universitetet dhe disa shkolla, që përbën studimin shkencor më të bukur dhe të veçantë të jetës time. Ndryshe nga ç’mendon dikush se, në Shqipëri s’ka më biblioteka e s’lexon njeri, nuk është e gjitha kështu. Jo vetëm lexohet, por edhe bibliotekat që kryejnë këtë mision, me disa përjashtime të vogla, janë funksionale, të bukura, të pasura e dinjitoze. Emrat që ato mbajnë janë emra korifejsh të kulturës shqiptare si, “Marin Barleti”, “Gjergj Fishta”, “Thimi Mitko”, “Vexhi Buharaja”, “Pjetër Budi”, “Gjon Gazulli”, “Mitrush Kuteli”, “Dritëro Agolli” etj.
Edhe Panairi i librit në Tiranë këtë vit, me dyndjet e jashtëzakonshme kryeqytetase dhe nga rrethet, dëshmoi se shqiptarët, megjithë alternativat e pafundme për informacion dhe inteligjencën artificiale, nuk heqin dorë kollaj nga libri. Patjetër që shtresa e inteligjencës, studentëve e nxënësve të shkollave zinin përqindjen më të madhe të blerësve (dhe këtu është merita e mësuesve dhe pedagogëve që rekomandojnë literaturë), por edhe ata që dikur kanë qenë “miq të vegjël të librit”, s’heqin dorë nga zakoni. Bisedat miqësore me të gjitha punonjëset e apasionuara të bibliotekave, universiteteve, shkollave e institucioneve, ishin nga më interesantet: falenderime nga zemra për dhuratat e çmuara, këmbim përvojash dhe eksperiencash pune, shfletim kartelash të lexuesve që gati janë gjysmuar nga përgjysmimi i popullsisë, njohje e fondit të vjetër dhe të ri të librit, aktivitetet mbresëlënëse kushtuar autorëve apo librave më të mirë, ankesat për mungesë vendi e skedarësh, dhe së fundi dy dhimbjet e kohës, mungesa e lexuesve në sallë deri në mbrëmje (si qëmoti) dhe mungesa e kryeveprave letrare e shkencore që trajtojnë problemet madhore që po kalon shoqëria jonë sot, për të cilat ka uri lexuesi ynë.
Ishim në një mendje për këto, por edhe për shqetësimin që në panair e librari mbizotërojnë ribotime librash të vjetër dhe të ashtuquajturit “Best Seller”, pa cekur këtu temën e çmimeve. A s’kam të drejtë kur them që në hyrje se kjo është krizë e krijuesve më tepër se e lexuesve?! Kush shkruan, si shkruan dhe përse më shërben mua, pyet lexuesi, sepse fatkeqësisht ka dhe botime mediokre, e për rrjedhojë largim nga libraritë e bibliotekat.
“Armiqtë” e librit sot, thuhet, janë mediat e shkruara dhe vizive, interneti, rrjetet sociale etj, ku mëson çdo gjë, e s’ke nevojë për libra. Në fakt, nuk është kështu! Ai ka qenë dhe mbetet mbret i dijes, sepse është burimi më i saktë dhe i pazëvendësueshëm reference për çdo mjet tjetër. Mediat e rrjetet sociale, përveçse shpesh të pasakta, të njëanshme dhe të pakontrolluara, japin lajme flash që nuk lenë gjurmë gjatë, shuhen brenda ditës, dembelosin trurin, e për pasojë humbasin aftësinë krijuese e analitike deduktive apo induktive të çdo personi.
Për krizë libri në botë dhe paksim lexuesish në biblioteka, flitej edhe në vitin 1936, gjë që çoi në mbledhen e përfaqësuesve të 43 shteteve në Paris, ku u theksua se s’duhet folur për krizë lexuesish, sepse libri po u reziston konkurencës së Kinemasë dhe radios. Biblioteka në Washington e rriti kapacitetin e saj, atëhere, nga 5 milion tituj në 9 milion. Ndërsa në Bibliotekën Kombëtare të Francës (Paris), u bë shtesa dy kate nën tokë, me 20 kilometra rafte për libra. Edhe sot, libri (me histori mijëvjeçare) po u reziston me sukses, gjithë alternativave të tjera të pafundme të informacionit.
Të paktën që nga shekulli i 14, libri ka qënë njëri ndër shkaktarët kryesorë të reformimit dhe Iluminizmit të Europës, ku fillimisht dituria u bë vetëm pjesë e të privilegjuarëve, por që në fakt ishte për të mirën e përgjithëshme. Edhe pse në shekullin e 21 kanë dalë në skenë librat elektronike apo librat audio, të cilat mund të blehen nëpërmjet internetit, por prapë se prapë ato quhen libra
– Po ku kemi kohë ne të lexojmë, thotë dikush, s’na le puna! Cila punë?! Po libri nuk është për të ngeshmit, është për punëtorët, është për luftarakët, për ata që duan ta zbukurojnë jetën e tyre dhe të çojnë shoqërinë përpara, dhe jo për ata që vegjetojnë në moçalin e plogështisë e rutinës, për të ngrysur ditët e perëndisë. Ai të rrit imagjinatën, besimin, emocionin, zgjuarsinë, kujtesën, urtësinë dhe aftësinë komunikuese e konkuruese. Ndaj le të lexojmë sa më shumë, në biblioteka, në shtëpi, në krevat, në kafe, në tren, në plazh, në mal, e sa shpejt shoqëria jonë do të dalë në dritë, shkrimtarët e shkencëtarët tanë më të shquar do të krijojnë kryevepra, dhe të rinjtë do t’i përvishen punës këtu e do ta duan pafund këtë vend!
More precisely, is it a crisis of readers or a crisis of creators?! That is the question!
It is well-known that “books enlighten the mind, and the mind changes the world!” But how much has this axiom worked in Albania so far? Unfortunately, very little! This is our problem as a society—insufficient civilization, lack of progressive intensive thinking, extreme cultural stratification, an obsession with mass graduation (especially abroad), yet still an empirical, not rational or visionary administration and politics. Overall, a critical and selfish society that looks for the cause of every flaw in others, not in itself, and is not inclined toward sacrifice, love, or tolerance—a consequence, among other things, of minds insufficiently illuminated.
This does not mean that efforts are lacking from various groups, institutions, and Albanian intellectuals to spread or donate books in our society. According to the philosopher Bergson, an intellectual who gives books is a winner, spreading influence and expanding their personality. Under this motto, I personally concluded my second “marathon” of donations across all cities of Albania, giving away over 3,200 books (by TIK and the ALSAR Foundation). This time, the focus was on Kruja, Laç, Lezha, Shkodër, Burrel, Klos, Bulqizë, Peshkopi, Kukës, Rrëshen, Cërrik, Gramsh, Kuçovë, Berat, Poliçan, and Çorovodë (not to mention Tirana, with the acute issues of the National Library).
“KORÇA BOOM”