“Korça Boom” zbulon në këto momente një lajm aspak të mirë për Skënderbeun, pasi bëhet fjalë për dëmtimin e sulmuesit kryesor, Ardit Nikaj.
Siç dihet Ardit Nikaj, i grumbulluar përpara disa ditësh me kombëtaren U-21 pësoi një dëmtim të rëndë dhe ky dëmtim duket se është shumë serioz, pasi dyshohet se mund të jetë edhe këputje e ligamenteve të kavilies, një dëmtim më shumë se i rëndë.
Tashmë pritet që javën e ardhshme të kemi edhe një vendim përfundimtar në lidhje me dëmtimin e Ardit Nikaj, por që gjasat janë të mëdha që të futet në sallën e operacionit dhe mbetet për t’u parë vetëm koha e rikuperimit, që vërtet do të jetë e gjatë.
Në këtë mënyrë për një kohë të pacaktuar Ardit Nikaj i ka thënë lamtumirë Skënderbeut dhe në kampin bardhekuq do ta ndiejnë shumë mungesën e këtij sulmuesi që ishte pjesë e formacionit dhe tashmë do të duhet për t’u gjendur zëvendësuesi.
Të gjithë në juglindje presin me padurim javën e ardhshme që do të jetë edhe përcaktuese për dëmtimin e kavilies së Nikaj, ndërkohë që jo vetëm Skënderbeu, por të gjithë e kanë uruar Nikajn, shërim sa më të shpejtë.
REDAKTUAR nga:
“KORÇA BOOM”