Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për një aksident rrugor në lagjen nr. 10 Korçë, informojmë se Sektori i Policisë Rrugore arrestoi në flagrancë shtetasin E. R., 38 vjeç, banues në Korçë, për veprat penale “Largimi nga vendi i aksidentit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Komisariati i Policisë Maliq arrestoi në flagrancë shtetasit:
K. Sh., 32 vjeç, banues në fshatin Libonik, A. M., 21 vjeç dhe F. M., 19 vjeç, banues në fshatin Vloçisht, Maliq, pasi gjatë kontrolleve në dy lokale, këta shtetas u kapën në flagrancë me celularë që dyshohet se i përdornin për të vënë baste sportive. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë.
Komisariati i Policisë Pogradec referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimin penal për shtetasin V. Z., 20 vjeç, banues në fshatin Strelcë, Maliq, pasi u kap në fshatin Velçan, Pogradec, duke transportuar me kamion, 22 metër sterë lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Nga verifikimet rezultoi se 20-vjeçari nuk ishte i pajisur me leje për drejtimin e mjetit kamion. Lënda drusore dhe mjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
REDAKTUAR nga:
“KORÇA BOOM”