Ndeshja mes Skënderbeut dhe Vllaznisë e vlefshme për javën e 3-të, përfundoi me fitoren e korçarëve. Sfida e zhvilluar në Korçë, u mbyll 1-0 në favor të vendasve. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç.
“Bukur ose ju bukur nuk mund të them. Kundër Partizanit ishim shumë bukur, por nuk morëm asnjë pikë. Ishte një javë shumë e vështirë për ne dhe psikologjikisht ishim shumë poshtë. Për mendimin tim meritonim pikë edhe kundër Partizanit. Për sot mund të them bravo çunave. Me një fitore jemi përsëri në rrugën e duhur.
Kur ishim 11 kundër 11 ishim shumë mirë. Me një lojtar më shumë për ne, Vllaznia kontrolloi ndeshjen. Ky ishte presion dhe frikë nga lojtarët tanë, pasi kishim një presion për të fituar ndeshjen pasi kishim vetëm 1 pikë dhe sigurisht që ishte diçka e tillë.
Kur ishim me një lojtar më shumë do të bëja më mirë diferencën e krahut, do sulmoja me 4 lojtarë dhe do rrija afër për topin e dytë. Kjo ishte ideja pasi mori kartonin e kuq Vllaznia. Ndoshta pjesa e dytë ishte më e mirë pasi kishim raste me Rashicën. Kjo ishte e gjitha”, tha Gvozdenoviç.