Lajme
Sot mbushen 39 vjet që është ndarë nga jeta aktori sandër prosi
Sot mbushen 39 vjet që është ndarë nga jeta aktori Sandër Prosi. Nderim dhe respekt për figurën e tij!(Aleksandër) Sandër, Prosi (1920-1985). Aktor i shquar. Lindi në Shkodër ,më 6 janar. Kreu shkollën e mesme në Tiranë. Studioi për stomatologji në Austri (1944-1946), por pas dy viteve i nderpreu dhe filloi punë në klinikën stomatologjike të xhaxhait të vet në Tiranë. Dashuria për artet përcaktoi më vonë drejtimin e jetës së tij.Ishte një muzikant i pasionuar, njohës i disa instrumenteve (violinë ,kitarë, fisarmonikë), ku ka luajtur në koncerte të ndryshme në Tiranë, Shkodër etj., aftësia dhe profesion që u pasua më vonë nga i biri, violonçelisti i Teatrit të Operës dhe Baletit, Artistidh Prosi. Më 1942 luajti rolin e Vilhelm Telit në dramën “Vilhelm Teli” të F. Shilerit, shfaqje e cila u ndalua nga ana e autoriteteve fashiste për qasjen që krijonte me pushtimin e vendit.Aktrimi u bë natyrshëm kështu arti i parapëlqyer i tij. Filloi punë si aktor në Teatrin Popullor në vitin 1948. Fillimisht u aktivizua në role të dyta dhe më pas edhe në role kryesore, më së shumti të kahut pozitiv, heronj apo personazhe dramatike (Dimitrovi te “Proçesi i Lajpcigut” 1933,1955; Zabelini tek “Orët e Kremlinit” ,1957 ,e Pogodinit), ndonjëherë edhe të kahut negativ, por problematik e me dilema (Vata te “Toka jonë” ,1954,e Kolë Jakovës).Bëri një hap të madh përpara veçanërisht me rolin e vështirë të Otellos (1958) në tragjedinë homonime të Shekspirit ,duke e ndërtuar konceptin mbi sjelljen e personazhit mbi tri kahe: xhelozia, vrasja dhe vetëvrasja ,duke u nisur nga qasja etnopsikologjike shqiptare në qëndrimin ndaj besës dhe pabesitë ,si mendësi dhe si shqetësim moral. I mëshoi kontrastit midis gjendjes fillestare të mirëbesimit në martesë dhe gjendjes fundore të ‘’Tradhëtise‘’ së Desdemonës si bashkeshorte, cka solli një rebelim e zemërim të papërmbajtur, rrjedhimisht hakmarrjen (tanimë të shndërruar në krim).Te tragjedia “Hamleti” (1960) e Shekspirit ,krijoi figurën mbreslënëse të Horatit ,ku vuri në spikamë shpirtin fisnik, ndershmërinë ,besnikërinë dhe kthjelltësinë e këtij personazhi honorific. Paçka se me pak fjalë ,ky rol zbuloi disa nga vetitë e qenësishme të tij: praninë e paqme skenike, heshtjet emocionale, sigurinë dhe ‘’pozitivizimin’’, që u bënë më vonë të parapëlqyera nga ana e regjisorëve të filmave artistikë në përzgjedhjet e shumta të tij.Në këto hulli e interpretoi edhe figurën e Astrovit te drama “Xhaxha Vanja” (1965) e A.P. Çehovit ,duke i mëshuar po ashtu edhe pasioneve dhe çasteve ëndërrimtare ,ndonëse jo ngaherë të dhëna në nivelet poetike dhe brenda parametrave stilistike çehovjane të ‘’fshehjes së vetvetes ‘’. Kulmin e vet në Teatrin Kombëtar e arriti me rolin kompleks të gjeneralit te dramatizimi i romanit të I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1972).Loja e tij ,e kahut psikologjik, paraqiti pezmin dhe mërzinë e një ushtaraku arrivist si dhe qëllimet e mbrapshta të një misioni të tejkaluar, me theksimin e kundërshtisë midis vetësigurisë dhe mburrjes, nga njëra ana dhe rënies shpirtërore ,zhgënjimit dhe dështimit, nga ana tjeter. Më pas luajti me sukses role të natyrës pozitive, si Miti te drama “Furrnalta” (1976) e Ruzhdi Pulahës, muzikanti Miler tek “Intrigë e dashuri” e F. Shilerit, nën titullin Luiza Miler (1979), Vuskan Sadria te drama “Duke gdhirë viti 1945” (1984) e Teodor Laços, Banushi te drama “Doktori pacient” e R. Pulahës etj.Aktrimi i S. Prosit shquhej për vetësigurinë, qetësinë ,tonet e shtrira, zërin e ngrohtë dhe shqiptimin e pastër. Ishte sa i përmbajtur, i paqëm shpesh edhe me tone këshilluese a rrëfyese, ashtu sikundër befasisht bëhej i vrullshëm dhe që jepte, falë një përqëndrimi të lartë psikik, gjendjet e ndera traumatike të personazheve ,në zgripe ndryshimesh apo përvuajtje shpirterore të thella. Plastika e tij përgjithësisht ngjante si ‘’e ngathët‘’, po kështu gjestikulimi, çka parapëlqehej për t’i dhënë vlerë edhe më të madhe fjalës ,për të theksuar çastet paraqitëse ,diskutimin mbi argumentet, po ashtu gjendjet e rënduara psikike të personazheve ,të jetësuar.Realizoi gjithsej 80 role në teatër . Një ndihmesë të vyer S. Prosi ka dhënë në kinematografi me 30 role, kryesore e të dyta. Nisi me rolin e drejtorit të shkollës në filmin “Debatik” , 1961, vijoi me Abdyl Sharrën te “Vitet e para”, 1965 dhe në vitin 1968 jetësoi një ndër figurat e tij mbresëlënëse, atë të kapitenit të bigës lundruese në filmin “Horizonte të hapura” .Transformimi i tij ishte thuajse tërësore sa i perket përpunimit plastik të levizjes, gjestit , sjelljes me detajet shenjuese (kujtojmë cigaren në cepin e buzës ), ashtu edhe veçanërisht jetësimit të një shpirti krenar ,të drejtë ,paçka se disi të zymtë ,sederli e autoritar.Me gjerësinë dhe madhështinë që reflektonte mënyra e aktrimit të tij, në filmin “Yjet e netëve të gjata” (1972) ai solli një tjetër figurë, krejt ndryshe nga të tjerat, kapedan Vranën ,vetjakësia e të cilës shihet qartë te tonimet epike që i dha këtij personazhi me maskën e gjetur prej komiti liridashës ,te vetëpërmbajtja dhe dimensioni i thukët nacional ,të cilat janë realizuar me vërtetësi e sens mase.Aktrimi i tij fiton dimension e përkryhet më tutje me tri kryerole: Jaho Labi (filmi “Në fillim të veres”, 1975, ku dha portretin e një fshatari patriot lab, me përjetimet dhe psikologjinë e tij, me të folurën karakterizuese, me ojnat dhe sjelljen përveçuese, duke krijuar kështu një nga shembelltyrat etnopsikologjike më shprehëse, bartëse të së mirës ,të traditës atdhetare; Ismail Qemali (filmi “Nëntori i Dytë”, 1982), ku u shembëllye me hir artistik jo vetëm portreti i tij fizik aq i ngjashëm, por sidomos personaliteti, urtësia ,shpirti i lartë vetëmohues, vizioni prej prijësi e burri shteti, vullneti për të përmbaruar misionin e shenjtë ,thjeshtësia në madhështi, çka e bëjnë edhe më të zulmshëm aktin historik të shpalljes së Pavarësisë prej tij.Në vitin 1976 luajti rolin e Dhaskal Todrit, në filmin “Udha e shkronjave” ,ku do të kulmonte me një nga krijimet më të përkryera të tij, sikundër edhe të historisë së kinemasë e të aktrimit shqiptar përgjithësisht. Ai shpërfaqi një botë e shpirt të pasur prej rilindësi. Te ky rol ka një përkitje fatlume, e rrallë për nga cilësia dhe forca ndikuese, midis të dhënave psikofizike të aktorit, përpunimit mjeshtëror të fjalës dhe nënteksteve të saj, përjetimit dhe ndjenjës së thellë, nga njëra anë me përfytyrimin dhe tipologjinë karakteriale që ne kemi krijuar historikisht mbi figurën, e rilindësve, martirizimin e tyre ,nga ana tjeter.Me të tre keto figura S. Prosi u nderua me Çmimin e Republikës së Shkallës së Parë. Ai përkujdesej, që përmes aktrimit të tij të krijonte moterzime ideofigurative midis personazheve të ardhura nga autoret dhe dramatugjia botërore dhe psikologjisë kombëtare shqiptare me të cilën i testonte. Kjo metodë aplikohej me qëllimin e vetëm që t’i bënte ata më të pranishëm në meset tona sociale, gjithashtu më të kuptueshme e më të komunikueshëm. S. Prosi ishte aktor që nuk e ndryshonte kollaj ‘’formatin‘’e tij, qe i përshtatshëm për të interpretuar figura dramatike e tragjike të kahut pozitiv.Ketë ‘’format‘’ tipologji ai e përsosi nga roli në rol duke qëmtuar ndërkohë përshtatje sa më të sakta në situatat dhe rrethanat e dhëna ku vepronin personazhet etj. Ndahet nga jeta në menyrë aksidentale më 24 mars, gjate xhirimeve të një filmi të ri “Pranverë e hidhur”. Mban titullin “Artist i Popullit”.
Lajme
Reagojnë tifozët korçarë/ E kanë me gjykimin…
Lajme
Skënderbeu in men’s volleyball defeated Vllaznia
Lajme
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg” për 34-vjeçarin nga Vlora për trafikim të paligjshëm
Lajme
Liqenoret e rrjetës kërkojnë rikthim tek fitorja..
Arsimi
Ekoturizmi dhe Balkania Route në Prespë
Lajme
Në Korçë dëmtohet impianti elektrik, ekipet pa stërvitje..
Lajme
FSHF Sunday League 2024-25/ Nis sot sezoni i gjashtë i futbollit amator, luhen pesë takimet e para
Lajme
Reagon gazetari pas kërcënimeve: Nuk më trembet syri fare!
Aktualitet
Mirëmëngjes nga kisha e Shën Triadhës në Tudas të Oparit!
Lajme
Vajzat e Skënderbeut dominojnë ndaj Teutës, fitojnë me rezultat …
-
Sporti1 ditë ago
U mposht nga Tirana, Ivan Gvozdenoviç: Përgjegjësitë i marr unë, urime kundërshtarit
-
Sporti3 ditë ago
Doka nesër ndaj Tiranës nga minuta e parë?! Ja ç’thotë njëshi i stolit bardhekuq
-
Sporti20 orë ago
NDESHJA e mbrëmshme Tirana-Skënderbeu/ Korçarëve u mungon 1 penallti
-
Sporti3 ditë ago
Trajneri mbështet idenë e portierit Marko Alia…
-
Sporti5 ditë ago
SKËNDERBEU/ Tek korçarët rriten shanset e eleminimit të …
-
Histori4 ditë ago
Tre kampionë, por jeta e ndau njërin prej tyre
-
Sporti3 ditë ago
Skënderbeu në volejboll meshkuj mund pastër Vllazninë
-
Sporti5 ditë ago
SKËNDERBEU/ Dy nga tre që i shënuan Tiranës nuk janë në …
-
Sporti5 ditë ago
Tifozët korçarë thirrje lojtarëve: Skënderbe, munde për ne Tiranën!
-
Sporti3 ditë ago
Volejboll/ Skënderbeu fiton ndaj Vllaznisë