Studentët e ekipit të atletikës, të cilët do të përfaqësojnë Universitetin “Fan S. Noli” në Kampionatin Botëror Ndëruniversitar që do të zhvillohet në Romë, Itali u pritën në takim nga rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi
Rektori i përgëzoi për këtë pjesëmarrje, ndërsa foli edhe për të tjera ngjarje sportive ku Universiteti ka marë pjesë:
“Jemi bërë tashmë faktor i rëndësishëm sportiv. Kemi marë pjesë në takime të organizuara në rang kombëtar e ndërkombëtar, ku në jo pak raste jemi vlerësuar edhe me medalje e trofe. Për këtë dua t’ju përgëzoj dhe besoj se do të vazhdoni ta përfaqësoni me po të njëjtin dinjitet Universitetin tonë, edhe në këtë pjesëmarrje në Romë”.
Rektori shprehu edhe njëherë mbështetjen ndaj studentëve, ndërsa theksoi se të tjera veprimtari do të organizohen për ta, duke veçuar Olimpiadën Ballkanike të Matematikës që do të zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, një vlerë e shtuar për ndërkombëtarizimin e Universitetit tonë.
Të pranishëm sot në takim ishin edhe staf akademik i departamentit të Edukimit, si dhe kryetari i Shoqatës Sportive të Universitetit “Fan S. Noli”, dr. Arto Adili. Ai falënderoi Rektorin për mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa u shpreh se kjo pjesëmarrje më tepër se një garë, është një formë njohjeje, socializimi dhe përvoje për studentët pjesëmarrës.
Falenderime edhe për mbështetjen financiare të ofruar nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar, në veçanti për presidentin e saj, z. Besnik Veliu që vazhdimisht përkrahin pjesëmarrjen e studentëve të Universitetit tonë në ngjarje të ndryshme sportive si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Kjo veprimtari sportive globale që do të organizohet në Romë në datat 6-10 nëntor 2024 vjen në formatin e Lojërave Olimpike dhe Universiteti ynë merr pjesë në garat e atletikës me 10 sportistë, kryesisht studentë të programit të studimit Edukimit Fizik dhe Sporte dhe është hera e parë që Universiteti ynë merr pjesë.
Disiplinat e kësaj kategorie janë:
1 milje (djem+ vajza)
800 m (djem + vajza)
stafetë (4×400 m) mix
stafetë suedeze (100x200x300x400 m) mix
REDAKTUAR nga:
“KORÇA BOOM”